top of page

Ublat e Boulejve aty ku e vërteta shuan mitet e legjendat


Aty ku e vërteta shuan mitet e legjendat

Edhe pse e gjithë Kraja shtrihet në brigjet e liqenit të Shkoders, Ublat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burim i jetës për banoret e Krajës. Kjo ndodh vetëm në Krajë, kjo u ndodhë vetem Shqiptarve. Shpesh e pyes vetën se athua Fan Noli ishte në Krajë kur shkroj “Anës Lumenjve”

 

Arratisur, syrgjynosur, 

rraskapitur dhe katosur 

po vajtonj pa funt, pa shpresë,

anës elbë-s, anës spree-së.

ku e lam’ e ku na mbeti, 

vaj-vatani e mjer mileti, 

anës detit i palarë, 

anës dritës i paparë, 

pranë sofrës i pangrënë, 

pranë dijes i panxënë, 

lakuriq dhe i dregosur, 

trup e shpirt i sakatosur. 

 Citova një pjesë nga kjo poezi epike e Nolit shkruar me 1928 vetëm për faktin se pas 89  viteve ende pasqyron realitetin shqiptar!

Në fshatin Ostros i Madhë të Krajës pikërisht në lagjen e Boulejve gjenden 12 Ubla të ndërtuara nga banorët lokal.

Këto Ubla kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë i vetmi burim i ujit për banorët përreth.

Lagja e Boulej Curej Berjashej por edhe ma gjere kanë qënë të lidhur egzistencialisht me këto burime.

Fshatrat e Arbneshit, Skjes dhe fshatrat tjerë të Ostrosit kanë qenë frekuentues të shpesht të rrugës që të shpinte drejt mullirit të Midhës në Anë të Malit. Ky drejtim u bë primarë sidomos pas aneksimt të Krajës nga Mali i Zi, pas Kongresit të Berlinit (1878)

Kjo rrugë kalonte pranë Ublave të Boulejve dhe shërbente si vend për pak pushim e freskim. Kjo vazhdon gati 100 vite deri kur hapet  rruga automobilistike qe lidhë Krajën me qytete përreth Podgoricë, Ulqin e Tivarë.

Në vazhdim po ju sjell, detajisht historinë e vërtetë të këtyre Ublave.

Kur u ndertuan dhe nga kush ?


Ahmet Smajli- Boulej

I intervistuar nga SH. “Kraja”


Historia

 

Se kur janë ndërtuar vitet e sakta nuk i kemi në dispozicion, mbase ato janë ndërtuar në intervale të ndryshme kohore, por ka mundësi që kanë kaluar edhe dekada nga ndërtimi i ndonjëres prej këtyre Ublave, siç është rasti i fundit i ndërtimit të njëres prej tyre e cila daton, sipas dëshmitarit të gjallë të ditëve tona, me të cilin Shoqata “Kraja” e ka intervistuar (Datë: 6.03.2017) e ndërtuar në vitin 1920, ku dëshmitari në fjalë e kujton me nostalgji.

Në vazhdim do ta përshkruajm historin e vërtetë të ndërtimit të këtyre Ublave, sipas dëshmitarit të gjallë, i cili na jep të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar se “historia është më e gjallë” se me mite dhe legjenda të sajuara sipas “apetiteve” të të tjerëve. Dëshmitari i intervistuar ndër të tjera na thotë, siç vijon:


"Trualli (Toka) ku janë ndërtuar Ublat e Boulejve ka qenë trualli (toka) e lagjes me të njëjtin emër (Boulej), por është ndarë në bazë të fiseve që kanë ekzistuar në këtë lagje, ku ndonjë njeri i pasur nga fisi i vet ka ndërtuar një apo më shumë Ubla për bamirësi (Herjat) në truallin e vet. Në këtë lagje janë të ndërtuara gjithsej 12 Ubla dhe një Lerë (Gropë e madhe me ujë ku pinë bagëtitë në kohën e thatësirës-ASHSH-IGJL-Fjalor i shqipes së sotme, fq. 663.). Mirëpo, këtu prej 12 Ublave dy prej tyre nuk mbajnë ujë, mbase janë shpuar siç thotë populli i kësaj ane, pra uji ka gjetur rrjedhën e vet. Këto dy Ubla të cilat nuk mbajnë ujë janë të fisit Tafaj, e punuar (ndërtuar) nga Kasem Beqa-Maxhuri, kurse njëra nga ato është ndërtuar për herjat (bamirësi) të t’shoqes së Haxhi Vuçkut. Pra, edhe këto dy Ubla kanë qenë të ndërtuara për herjat (bamirësi). Të gjitha këto Ubla në lagjen Boulej, e që quhen Ublat e Boulejve, kanë qenë të ndara në këto fise:


1.-Fisi Boulej,

2.-Fisi Çobej dhe

3.-Fisi Tafaj

Mirëpo, në këto Ubla kanë të drejtë të marrin ujë edhe banorët e lagjeve Curaj dhe Berjashej.

Këtu në brendin e këtij trualli ku janë të ndërtuara Ublat e Boulejve janë edhe dy Ubla të cilat janë ndërtuar nga banorët e lagjeve Curej dhe Berjashej, banorët e të cilëve kanë kërkuar leje që tu lëshohet aqë truall (tokë) sa ka nevojë për ndërtimin e këtyre dy Ublave, sepse trualli (toka) ka qenë e lagjes Boulej. Kështu, me marrveshtje, trualli (tokë) u lëshua dhe banorët e lagjeve Curej dhe Berjashej ndërtuan Ublat e tyre, por edhe këto të ndërtuara për bamirësi (herjat), ku u lejohet që banorët e këtyre dy lagjeve të marrin ujë për çdo gjë të nevojshme. Njëra nga këto Ubla është ndërtuar, përafërsisht rreth vitit 1920 dhe ajo mbanë emrin e të shoqes së Veli Vuçkut (Mejremes), Ubël e cila u ndërtua për herjat (bamirësi) në emër të saj. Këtë Ubël e ka ndërtuar Tahir Avdyli dhe Caf Avdyli. Këto Ubla, sipas individit bamirës mbajnë edhe emrat e tyre, mbase nuk janë të shënuara me emra, por sipas dëshmitarit me të cilin kemi bërë intervisten, jemi të detyruar t’i shënojmë ashtu siç kanë arritur t’i kujtojnë me nostalgji dëshmitarët e gjallë, në  rastin konkret i intervistuari ynë, i cili është brezi i tretë që ia është përcjellur goja-gojës, deri në ditët tona.Këto Ubla mbajnë këto emra:



1.-Ubla e t’shoqes së Veli Vuçkut (Mejremes) i fisit Vuçkej

2.-Ubla e Met Boulit i fisit Boulej (Rexhep Hysi, Hasan Hysi, Hysen Kraja dhe Valdet Bouli)

3.-Ubla Beqirit i fisit Çobej (i shtëpisë së Smalj Beqirit), ku kanë të drejtë (hise) të furnizohen me ujë edhe banorët e fisit Nilaj të lagjes Berjashej.

4.-Ubla e Tahir Boulit i fisit Boulej, Ubël kjo e cila ka ujë shumë të freskët dhe shumë të mirë për pije. Ky ishte një njeri i pasur i kohës ku edhe ndërtoi këtë Ubël për bamirësi (herjat) krahas bamirësinave tjera.

5.-Ubla e Beqir Hajdarit i fisit Çobej, ku kanë të drejtë (hise) të furnizohen me ujë edhe banorët e fisit Paçamurej nga lagja Cukej.

6.-Ubla e Gjanë e fisit Çobej.

7.- Ubla e Berjashejve, ku kane të drejtë (hise) të furnizohen me ujë edhe banorët e lagjes Boulej. Dikur vonë, pothuaj se rreth viteve 50 të shekullit të kaluar (shek. XX), rrethin (Grykën) e ndërtoi Imer Brahja (ish Hoxha i fshatit)

8.-Ubla e Selim Hys i fisit Boulej ose ndryshe kjo Ubël quhet edhe Ubla Brahas

9.-Ubla e Halil Beqirit i fisit Boulej.

10.-Ubla e Curejve ku kanë të drejtë (hise) të furnizohen me ujë edhe banorët e lagjes Boulej.

11.-Ubla e t’shoqes Reshit Boulit (Zylit) prej fisit Boulej, e cila Ubël nuk mbanë ujë.

12.-Ubla e t’shoqes Haxhi Vuçkut prej fisit Vuçkej, e cila Ubël nuk mban ujë.


Në brendin e këtij trualli (tokës) ku janë të ndërtuara 12 Ublat e Boulejve ka qenë e udërtuar edhe Lera e Boulejve, ku gjurmët e saja gjinden edhe sot e kësaj dite. Kjo Lerë njëherit ka qenë edhe ujëmbledhësi i parë në këtë truall e cila ka shërbuer për nevojat e kohës si dhe për të pirë ujë bagëtitë në kohën e thatësirës. Me ndërtimin e 12 Ublave në lagjen Boulej, Lera e humb pothuaj se emrimin e atij trualli, “te Lera e Boulejve” dhe merr një emër të ri ku prej se u ndërtuan ato Ubla e deri në ditët tona e me shpresë se edhe në brezat e  ardhshëm, është quajtur, quhet dhe do të quhet “te Ublat e Boulejve”, pra Ublat e Boulejve.

Në këto Ubla granija (gratë-femrat) e lagjeve Boulej, Curej dhe Berjashej, kanë larë edhe teshat (rrobat) duke përdorur ujin e këtyre Ublave. Kanë qene të ndërtuara edhe rrasat prej guri për larjen e teshave (rroba) si dhe lugjet prej guri për t’i mbushur me ujë për larjen dhe shpërlarjen e teshave (rroba). Këto lugje janë përdorur edhe nga çobanët e lagjeve përreth, të cilët i kanë mbushur me ujë dhe u kanë dhënë bagëtive për të pirë.

Ndërtimi i këtyre Ublave nuk dihet më saktësisht, mbase njëqind e shtatëdhjetë vite me parë, andaj kjo është një gojedhënë e gjallë e ditëve tona e përcjellur tash e tre breza (gjyshi, babai dhe djali) e deri në ditët tona.” (Ahmet Smajl Bouli, vjeç 85. Intervistoi Shoqata “Kraja”, Datë: 3 Mars 2017, Howard Beach, New York).

10 views0 comments

Comments


bottom of page