top of page

Shoqata Atdhetare “Kraja” në Nju Jork - Kontribut për vendlindjen

Ndonëse Shoqata Atdhetare “Kraja” me seli në Nju Jork, i ka kaluar dy dekada jetë, nuk ka lënë anash qëllimin e saj, për t’u dalë në ndihmë krajanëve të vendlindjes, varësisht sipas kohës dhe nevojës. Të shqetësuar më shumë nga boshatisja e Krajës, ata e kanë bezdi t’u thuhet se Kraja është e vafër, por janë të vetëdijshëm se në Krajë ka të varfër. Dhe prandaj kanë ngritur zërin për të gjithë ata që kanë mundësitë, qoftë brenda apo jashtë Krajës, e në veçanti atyre të diasporës, që të japin kontributin e vet modest në këtë drejtim, pa u dhënë rast nevojtarëve të ekspozojnë nevojat e tyre.

Dorën në zemër, kësaj radhe iniciativa është më e veçantë dhe nuk përqendrohet vetëm në ndihma ushqimore, por edhe në ngritjen e nivelit arsimor të Krajës, duke mbështetur me të holla disa prej studentëve me kushte jo të përshtatshme. Për ta bërë këtë edhe më funksionuese, Shoqata u zgjerua, duke hapur një degë të saj edhe në Krajë.

Me vendimin e 27 marsit, Këshilli i Shoqatës shpalli konkursin për paraqitjen e individëve që do ta përfaqësojnë Shoqatën në vendlindje, sigurisht brenda kushteve që përcakton rregullorja e saj. Në mbledhjen e radhës, Këshilli shpalli konkurruesit: Medina Cura, Jusuf Kaca dhe Gëzim Ardolli dhe mori vendimin që të tre ata të jenë përfaqësuesit e Shoqatës në vendlindje – Krajë, duke caktuar përmes votimit, që Medina të jetë udhëheqëse e grupit, ndërsa Jusufi dhe Gëzimi këshilltarët e Shoqatës “Kraja” në vendlindje. Pak më vonë, u shtua edhe një këshilltar – Gëzim Vela, i cili do të mbulojë kryesisht relacionin e Krajës Perëndimore – Ljare – Muriq.

Të tre këshilltarët dhe kryesuesja e Shoqatës veprojnë brenda vullnetit të mirë (pa pagesë) dhe kushdo që dëshiron t’i bashkohet këtij grupi, për të dhënë kontributin e vet, është i mirëpritur.

Deri sot, përfaqësuesit e Shoqatës kanë kryer disa aktivitete të rëndë- sishme për Krajën. Kanë bërë bisedime dhe kanë marrë përgjigje pozitive, që edhe ato pak dasma që bëhen në Krajë, të kthehen në vendin e vjetër (te shkolla), qoftë edhe me ndonjë investim modest nga ana e Shoqatës. Veç kësaj, po shqyrton mundësinë për krijimin e një shoqërie kulturore – artistike, që po shpreson ta realizojë deri në fundin e këtij viti.

Meqenëse shoqata, për shkaqe etike synon të ruajë privatësinë e plotë të atyre që u janë shpërndarë ndihmat, mjafton të themi se vetëm gjatë këtij viti, në këtë drejtim janë shpenzuar 12 600 dollarë. Ka ofruar ndihmë humanitare për 24 familje në Krajën Lindore dhe Perëndimore, ndihmë me produkte ushqimore, duke ndarë 43 paketa me ushqim, me vlerë prej 2 800 dollarësh. Është ofruar ndihmë prej 400 dollarësh për aktivitetet sportive në Krajë, të cilat janë zhvilluar në disiplina të ndryshme sportive, në sallën e fiskulturës të Shkollës fillore në Ostros. Po aq janë ndarë edhe për Ligën e Krajës në futboll, për vitin 2016. U ka ofruar ndihmë në formë burse shtatë studentëve me nga 500 dollarë secilit, gjithsej 3 500 dollarë. Ka ofruar ndihmë për shkollimin e plotë të një studenti, në shumën prej 3 000 dollarësh, për vitin e ardhshëm akademik 2016-2017. I ka ofruar një familjari ndihmë prej 500 dollarësh për blerjen e medikamenteve të domosdoshme shëndetësore. Një individi i ka ofruar 1 000 dollarë, për një ndërhyrje të nevojshme kirurgjike. Po me aq e ka ndihmuar edhe një individ tjetër me gjendje të rëndë ekonomike. Dhe lista e kontributeve nuk mbaron vetëm me gjashtë muajt e parë të këtij viti, por do të vazhdojë edhe me shpërndarjen e ndihmave të tjera.

Në saje të punës së palodhur dhe aktiviteteve të saj, jo vetëm brenda komunitetit që ajo përfaqëson, por edhe më gjerë, deri më tani Shoqata ka marrë dy mirënjohje.

Në fund, unë si udhëheqëse e degës së Shoqatës në Krajë, njëherit edhe përfaqësuese e Shoqatës në vendlindje, në emrin tim dhe të tre përfaqësuesve të tjerë, dua të falënderoj kryetarin e Shoqatës Atdhetare “Kraja”, z. Hamid Alaj, bashkë me Këshillin e Përgjithshëm, të cilët na kanë vlerësuar dhe na kanë besuar përfaqësinë e Shoqatës në Krajë, duke na dhënë edhe neve mundësinë dhe kënaqësinë që t’i shërbejmë vendlindjes me mundësitë tona.


Medina Cura

[Koha Javore, 30 qershor 2016]

2 views0 comments

Kommentare


bottom of page