KRAJA, NDËRMJET LIQENIT TË SHKODRËS DHE DETIT ADRIATIK
Hajredin Muja
Toponimi “Kraja” ka qenë e është bërë objekt studiuesish të ndryshëm. Ekzistojnë mendime e supozime se toponimi “Krajë”, buron prej fjalës sllave “kraj”, që ka kuptim “skaj”, “fund”, “anë”, ose siç thotë Vasilije Lukiq (Prečista Krajinska,1974): “Vendbanim në jugun më të skajshëm”. Edhe studiuesit e tjerë sllavë e nxjerrin toponimin e “plotë” si Kraja e Malit të Zi” (sllavisht: ‘Crnogorska Krajina’). Por dihet se toponimi “Kraja”, ekzistonte shumë më heret se formimi i Malit të Zi, madje se edhe vetë toponimi i saj. Toponimi “Kraja” përmendet në analet e priftit të Duklës qysh në vitin 1149. Ndërsa Mali i Zi për së pari herë përmendet në Kisobulin e Karl Milutinit në vitin 1318. Madje, edhe në këtë kohë Mali i Zi pothuaj ishte i panjohur, ndërsa Kraja ishte edhe qendër arqipeshkvale (Koliqi:1991).
Nëse toponimi “Kraja” vërtetë ka kuptimin e “anës” apo “skajit”, atëherë më e logjikshme do të ishte që në vend të skajit të Malit të Zi (Crnogorska Krajina) të quhej “skaji i Shkodrës” (Skadarska Krajina), siç e quan edhe Krajl Nikolla. Kraja ishte Nahi (krahinë) e Shkodrës qysh në shekullin XV-të, dhe pjesë integrale e Sanxhakut të Shkodrës gjatë gjithë shekujve të ekzistimit të saj, kështu që një emërtim i tillë do të ishte më e logjikshme (Koliqi:2001/9). Sipas Konstantin Jeriçekut (Istorija Srba - Beograd 1923), “Kraj”, “Krajina” ose “Krajishta” quheshin famullitë kufitare serbo – bizantine. Sipas këtij konstatimi Milan Shufflay (Historia e shqiptareve të veriut, 1968), shton se “Kraja” (Krajina) serbët e quanin anën përgjatë Liqenit të Shkodrës, ndërmjet Bunës e Luginës së Cërmnicës (Shuflaj: ‘Serbët dhe shqiptarët’, f.15). Përkufizimi i tillë i shtrirjes gjeografike të Krajës është shumë i vonë. Një studim tjetër jep hipotezën se toponimi “Kraja” e ka prejardhjen nga emri i një fshati (të Krajës), që sllavisht quhej Krajina. Me këtë emër e gjejmë në analet e priftit të Duklës, që në shekullin XII dhe në defterët e parë osmanë, në shekullin XV. Në analet e priftit të Duklës “Krajna” është vetëm një vend (sot: Ostros), ku gjendej Kisha e Shën Mërisë së Krajës. Në Regjistrin e Kadastrit të Shkodrës për vitin 1485, paraqitet toponimia “Krajna”, jo në formën e një krahine, por të një fshati (Pulaha:1974/137-145), për të cilin shumë studiues mendojnë se është fjala për Ostrosin e sotëm. Në kuadër të Nahisë së Krajës këtu përmendet se “fshati Krajna është një nga fshatrat e luginës së Romanesë (Lugina e Rumisë).
Toponimin “Krajna” në një kuptim më të gjërë, tani jo si fshat por si krahinë, e ndeshim në Defterin e Kadastrit të Shkodrës të vitit 1582, e cila në kuadrin e saj, bashkë me Shestanin, mbante në vete 18 fshatra me 623 familje (Memiq: 1996/111). Relacioni i Marian Bolicës “Kraja” (Ponte di Scutadi...) i quan fshatrat nga Ura e Shkodrës (Ura e Bunës), rrëzës së malit nëpër breg të liqenit (Kraja) deri në Carnicë (Zamputi:1963/259-265). Proveditori i jashtzakonshëm i Kotorrit Nikolla Erico, në shkrimin e datës 1 mars 1692, thotë se: Kraja (krahina) përfshin të gjithë pjesën e vendit, të rrethuar prej detit, prej lumit të Bunës e Liqenit të Shkodrës, e që kufizohet në veri me Malin e Zi, përfshirë këtu edhe Tivari e Ulqini... (Zamputi:1990/401-413). Në një pjesë gjeografike të Kluveriusit, e shkruar nga fundi i shekullit XVI apo fillimi i shekullit XVII, “territorin që gjendet ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe detit, populli e quan Kraja, dmth. krahina e Shasit dhe kjo është mbërthyer në male… “ (Zamputi:1990/258-261). Ndërkohë, Andrija Joviceviq krahinën e Krajës e konsideron nga fshati Shirokë deri në fshatin Selcë, duke përfshi këtu edhe Shestanin (Crnogorsko Primorje i Krajina, Beograd 1922). (Muja:2009/145-146)
Ka një sërë arsyesh që koha ka detyruar banorët e Krajës të shpërngulën nëpër vende të afërta ose të largëta. Vendin e parë të këtyre arsyeve gjithsesi e nxënë sëmundjet çfarosëse, dhuna dhe kushtet e vështira për jetesë. Historia shënon epidemi çfarosëse që nga viti 146 deri në 180 të erës së re, që përfshiu edhe Romën.. Ajo që plasi në vitin 545 në Stamboll, u përhap në të gjithë Europën duke përfshi edhe Shqipërinë. Barleti na kujon vitin 1479, kur familje të shumta u vendosen ne Venedik, që t'i shpëtonin epidemisë së kolerës... Sëmundja e murtajës shënohet e pranishme në vitin 1692, kur Sulejman Pashë Bushatliu “Në luftë kundër malazezëve kishte me vete edhe luftëtar nga Kraja - vendi i murtajës”. Dr. Kërrçiku numron 12 periudha epidemie në Shkodër që nga viti 1761- 1821. Austriaku Fosell, vë në dukje “kolerën e katundit Shirokë të Krajës” dhe shton se kjo epidemi kishte ardhur prej Malit të Zi e përmes Krajës më 1868 kaloi edhe në Shkodër duke shkaktuar shumë vdekje. Kujtimin e këtyre sëmundjeve e vërtetojnë sot varrezat e shumta nëpër oborre shtëpishë, në kopshinje, buzë rruge, në ara, në pyje e gjetkë, pasi viktimat e këtyre sëmundjeve (ngjitëse) varroseshin sa më parë, mu aty ku vdisnin. Tradita popullore i këndon Gjylës një vajze të Krajës, e cila ose ishte shpërngulur me familjen e saj ose ishte martuar në More. Në qendrën e Perandorisë Osmane mërguan një numër i madh i tyre, që nuk u kthyen kurrë më. Në Zarë të Dalmacisë një komunitet i tërë krajanësh të shpërngulur ndërmjet viteve 1726 – 1733.
Comments