top of page
Writer's pictureAgim Cura

Dita e Flamurit dhe paradokset e Krajës

Në vazhdën e traditës edhe sivjet në Krajë u organizua Festimi i 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit dhe të shtetit shqiptar.

Me këtë rast u tha se këto ngjarje dhe data janë të lidhura ndërmjet si mishi me ashtin, si gishti me thua. Sepse kombi, shteti dhe flamuri janë të pandarë.

Në altarin e krijimit të shtetit shqiptar (1912-1913) ranë shumë luftëtarë krajanë. Madje erdhën edhe nga Stambolla , duke lënë atje pasuri dhe shtëpi ndërsa shpirtin në Tarabosh në Shkodërlacën e shtrejtë dhe të dashur. Përkundër luftërave dhe sukeseseve në fushëbeteja, diplomacia dhelpërore e disa shteteve bëri që gjysma e kombit dhe shumica nga këto troje ngelën jashtë shtetit amë, i cili do të kufizohet me ish- trojet e veta, pra me vetveten. I gëzohemi Kosovës që falë luftërave të njëpasnjëshme, ku u përjetësua komandanti legjendar Adem Jashari, u bë i pavarur dhe në shkurt të vitit 2008 u shpall shtet.

Po ne shqiptarët jashtë dhe përreth dy shteteve shqiptare çka bëjmë? A thua është mjaft dëshira për të arritur Bashkimin Kombëtar? Së paku në Bashkimin Evropian, që tani në rrafshin diplomatik përmendet në formë refreni. Jemi ngopur me mendime dhe premtime të tilla!

Jo. Nuk ta kthen kush borxhin pa ia gjetur anën! Po në Krajë dhe në trevat e tjera shqiptare në Malin e Zi?

Duke mos i mohuar arritjet për disa kohë pas Luftës së dytë Botërore me ngadhënjimin e demokracisë (1990) prisnin më tepër. Por as ne si politikë e politikanë nuk bëmë as nuk po bëjmë atë që na takon. Përplasjet na i rrënojnë themelet.

Po viti 2016? Mos u përsërit? Mali i Zi me shumë probleme. Ndarja nacionale ndërmjet serbëve dhe malazezëve. Probleme rajonale: verijug. Pa zhvillim ekonomik, infrastrukturë, xhade dhe ujë. Në këto rrethana zbrazet popullata.

Në fjalimin që mbajti më 24 nëntor 2016 në ditën e Komunës së Tivarit, kryetari i saj dr. Zoran Srzentiq nuk e përmendi fare zhvillimin ekonomik të Krajës për vitin që pason, thuajse s’ jemi pjesë përbërëse e komunës ku ai sundon. Perspektiva pa asnjë të mirë, pa zhvillim dhe pa vizion, bëri që të zbrazen trojet tona. Vetëm gjatë muajit nëntor që shkoi 4- 5 familje krajane u shpërngulën në SHBA. Me viza turistike dhe të dalë ku të dalë, edhe pse presidenti i sapozgjedhur dihet se çka ka thënë?!


Ndasitë e mëdha politike në Mali e Zi dhe paperspektivat ndikuan që në kuvendin Republikan, nga 81 deputetë, 42 i takojnë pozitës me gjithë disa deputetëve të pakicave nacionale, ku bënë pjesë dhe një nga partitë shqiptare. Opozita ka 39 deputetë. Ashtu është gjendja edhe në Komunën e Tivarit: nga 37 këshilltarë: 19 i ka pozita, 18 opozita. Si i vetmi këshilltar nga koalicioni shqiptar jam në opozitë pasi nuk na i kanë pranuar asnjë kërkesë që kemi shkruar dhe kërkuar si kusht për të shkuar në pozitë dhe nënshkruar koalicionin.


Ky s ‘ është pushtet i qëndrueshëm as në Tivar, as në nivelin Republikan. Deri kur ne si shqiptarë t’i përkrahim me vota dhe mandate? E ata? Ofrojnë premtime të kota që kur nuk i realizojnë. Siç thotë populli: “ Fjalët e mira e gurët në strajcë”. Ndërsa në Ditën e Komunës, në mbledhjen solemne s’ u këndua asnjë këngë shqipe, për ironi, pesë ditë më parë (19.XI.2016) në manifestimin “ Dita e Gështënjës“ që u organizua në Krajë, melosi shqiptar ra nën hijen e atij sllav.


Prandaj, o udhëheqës shqiptarë, kur kemi të bëjmë me kërkesa madhore të çështjes nacionale, t’i lëmë anash interesat personale, ndasitë partiake dhe hujet si ves që të gjithëve na dëmtojnë. Të bashkohemi për t’i analizuar problemet nga këndi i vet dhe për të vendosur që t’i zgjidhim bashkë dhe për të arritur më tepër sukses. Mos të ndodhë më që 70 % e votave shqiptare, në radhë të parë krajane të derdhen tek partitë joshqiptare, siç ndodhi në zgjedhjet parlamentare më 16 tetor 2016, ku nga partitë shqiptare u fitua vetëm një deputet. (Autori është këshilltar në Komunën e Tivarit)


Koha Javore, 8 12. 2016


5 views0 comments

Comments


bottom of page