top of page

Boshatisja e Krajës

BOSHATISJA E KRAJËS,

DUKURI SHQETËSUESE PËR KRAJËN DHE KRAJANËT

Hajrudin S. Muja

Ka thënë urtësia popullore, se kur fajson dikë me gishtin tregues, tre gishtat e tjerë i drejtohen vehtes, thënë ndryshe “një faj ti, e tre unë”. Por akuza ndaj tjetrit, disi ‘të qetëson’ më tepër, sepse të lë mundësinë e stagnimit aty ku ishe, pa pranuar “të luajsh gurin nga vendi”. E njëjta gjë po ndodhë edhe me boshatisjen e Krajës, me akuzues e me të akuzuar. Ata që janë mbrënda u drejtojnë gishtin atyre që janë ‘jashtë’ se “shkelën vendin e të parëve”, ndërkohë që të jashtmit, u drejtojnë gishtin të mbrendëshmëve “për devijime politike”, se edhe ata do të iknin “po të kishin ku të shkonin”. Në këtë mënyrë, u krijuan ndasitë në “ne” dhe “ju”, që shpeshëherë marrin drejtim të gabuar dhe nuk shërojnë plagën e krijuar.

Megjithatë, çështja nuk është aq e thjeshtë, sepse boshatisja e Krajës ka një histori të vjetër, madje të vjetër sa edhe vetë Kraja! Në këtë kontekst, situata nuk mund të shpjegohet me “një të rënë lapsi” dhe arsyet nuk mund të pikatën njëjtë, për të gjitha periudhat e për të gjithë njerëzit. Nëse vetë emërtimi “Kraja” përmendet në analet e priftit të Duklës, qysh në vitin 1149, madje edhe si qendër arqipeshkvale, atëherë s’do mend se përmban një histori të gjatë plot pikëpyetje për ne. Por dihet se, duke qenë një vend i përballur me kushte të vështira, për shkaqe të sigurisë, pasurisë apo lehtësisë, popullata e Krajës mbeti përherë në lëvizje. Një numër i vogël i tyre u kthyen sërish në Krajë, por shumica qënduan në ato vende ku u shpërngulën dhe me kalimin e kohës, varësisht në vendet se ku u vendosën, u asimiluan dhe u humbën “pa shenj e pa nishan”.

Disa shkrime të zbehura apo disa vargje rapsodike, na shpien tek dëshmitë e mjergulluara, nga të cilat nuk mund të themi shumë. Në mungesë provash, detyrohemi të marrim ndonjë variant këngësh e legjendash, por as këta nuk na mjaftojnë, nëse nuk përdorim edhe logjiken, që në të shumtën e rasteve i thonë “marrje me mend”, e shpeshëherë nuk na shpien askund! Dhe prandaj mund ti japim historisë verzionin që duam dhe ti arsyetojmë gjërat “me gjuhën e arsyes”. Shënimet statistikore që ne njohim deri tani, janë shumë të vonëshme, e shpesh edhe gjysmake, ndërkohë që situatën na e vështërsojnë edhe më tepër sëmundjet e kohë-pas-kohëshme shfarosëse, por edhe fatkeqësitë e tjera natyrore.


Libraria e vjeter e Krajes

Historia shënon epidemi çfarosëse që nga viti 146 deri në 180 të erës së re, që përfshiu edhe Romën. Ajo që plasi në vitin 545 në Stamboll, u përhap në të gjithë Europën duke përfshi edhe Shqipërinë. Marin Barleti, tek “Rrethimi i Shkodrës”, na flet për shpërnguljet e popullatës së Shkodrës me rrethina, në vitin 1479, në Vendik: “që t’i shpëtonin epidemisë së kolerës” [Barleti:2007]. Pastaj Shkodra u mbush me malësorë – thotë Barleti. Sëmundja e murtajës shënohet e pranishme në vitin 1692, kur Sulejman Pashë Bushatliu “në luftë kundër malazezëve, kishte me vete edhe luftëtar nga Kraja – vendi i murtajës”[Bushati:1999]Dr. Kërrçiku numron 12 periudha epidemie në Shkodër, që nga viti 1761- 1821 [Kërrçiku:1962]. Disa udhëtar të huaj me funksione diplomatike në Shqipërinë Veriore, përshkruajn përhapjen e Kolerës në Shkodër me rrethe në shekullin XIX-të. Ata përshkruajn kolerën e vitit 1831, gjatë rrethimit të Mustafa Pashës në Kala. J. Spencer më 1853 jep të dhëna mbi epidemitë e murtajës e të Kolerës që u përhap në vitet 1845-1850 [Shkodra ndër shekuj, II:1999]. Austriaku Fosell, vë në dukje “kolerën e katundit Shirokë të Krajës” dhe shton se kjo epidemi kishte ardhur prej Malit të Zi e përmes Krajës, më 1868 kaloi edhe në Shkodër, duke shkaktuar shumë vdekje [Bushati:1999]. Kujtimin e këtyre sëmundjeve e vërtetojnë sot varrezat e shumta nëpër oborre shëpishë, në kopshinje, buzë rruge, në ara, në pyje e gjetkë, pasi viktimat e këtyre sëmundjeve varroseshin sa më parë, duke u shtyrë me hunj në gropë, mu aty ku vdisnin. Legjendat flasin për “macën e zezë”, të cilës mund ti fshihej pas bishtit të shatit, e ajo s’të shihte, por viktimën e saj duhej të varrosej pikërisht në vendin e vdekjes.

Nëse vështrojmë të dhënat e Bicit (1610), Bolicës (1614), Budit (1621) e Bardhit (1639), Gjorgës,  etj., për Krajën, vështirë mund të definohen fshatrat, si bie fjala: MesigliVallasi [Zamputi:1963], Karaci [Zamputi:1989], Brugari [Nika:2001], GradomanBardhojPodBacina, etj. etj. Sigurisht, në mesin e shumë emërtimeve të këtilla të panjohuara për ne sot, ka vendbanime që sot njihen me një emërtim tjetër, por ka edhe prej atyre që sot, jo vetëm që nuk ekzistojnë më, por nuk u duken as gjurmët më të vogla të një vendbanimi të dikurshëm! Shumë prej këtyre fshatrave u shpopulluan si rezutat i sëmndjeve shfarosëse. Në raste të tilla, fshati u ripopullua më pas nga banorët e fshatrave të tjera, nga miqtë e afërm ose nga bijat që kishin lindur në atë fshat. I tillë ishte fshati Shirokë, që “Murtaja” nuk kishte kursyer as një të vetëm. Joviçeviqi kishte gjetur aty fiset e ardhura më pas me mbiemrin FtjaniLjarja, Shestani, Aruçajt, Muriqi, Kraja dhe Kalicajt [Jovičević:1922]. Për fshatin Pod thuhet gjithashtu se i çfarosi një sëmundje, dhe pastaj bijat e tyre të martuara në Ljare, u bënë trashigimtare të tokave të tyre. Mbase kjo është arsyeja që Mark Jorga e quan “Ljarja e Poshtme”?!. 

[Koha Javore, 24 Nentor 2016]

 Libraria e vjeter e Krajes

MIGRIMI INTER-RURAL I BANOREVE

Ky ishte emigrimi interrural i krajanëve, por jo e vetmja e aryse e këtij emigrimi. Këto bëheshin edhe për kushte më të mira jetsore apo për shkak të sigurisë. Në shumicën e rasteve, bijat vetme të martuara në një fshat tjetër, shpërnguleshin familjarisht në pasurinë e patundëshme të prindërve të saj të ndjerë. Në vend të familjeve të shuara nga sëmundjet shfarosëse, vendosen familjarë e të afërm të fshatrave tjera në tokat dhe shtëpitë e tyre. Në raste më të rralla, për shkak të ngushtësisë, një familje shpërngulej në një fshat tjeter, duke blerë gjithë pasurinë e patundshme të një familjeje tjetër, që shiste mallin e tij, duke u shpërngulur diku tjetër. E veçanta e këtyre rasteve është se familja e re që ishte shpëngulur, sipas zakonit kanunorë, duhej të merrte llagepin e ati fisi ku ishte shpërngulur, ndryshe nuk kishte të drejtë në shfrytëzimin e pasurive të përbashkëta, si bie fjala kullosat, ublat, etj.

Në varësi të gojdhënave dhe shkrimeve të vjetra dokumentare, mund të konkludojmë se një numër i konsiderueshëm i banorëve të fshtarve të Krajës, bënë një emigrim interrural, të lënë në harresë nga studjuesit, gjatë periudhës së islamizimit të tyre, të cilët si pakicë e urrejtur dhe e dëbuar, u dyndën në fshatrat e tjera të Krajës, por edhe jasht saj. Shpërnguljet e këtilla më të theksuara u bënë në fshatrat e Shestanit. Pasardhërit e këtyre familjeve të dëbuara të fshatrave të Shestanit sot jetojnë në Muriq, në Tegjemil, Mërkot, dhe në fshatra të tjera të Krajës, Ulqinit e Tivarit, etj. Në situata të këtilla, një i islamizuar bëhej i padëshirueshë jo vetëm “rrezik për fisin” [Dabović:2006], por madje edhe për vetë familjen e ngushtë. Dëshmitë e të islamizuarve të Shestanit kanë mbetur në patronimet që njihen edhe sot. Në Lukiq (Shestan i Epërm), gjejmë toponimin “Çogu i Hasanit”, “Gropa e Hasanit”, “Kulla e Canit”, “Nën Çardak”. Në Dedaj: “Gropa e Hysenit”, Gropa e Xhaferit”, “Lama e Hasanagës”, “Ara e Danit”, etj. Në Maruçiq (Perëndim të Shestanit): “Gropat e Brahimit”. Në Gurzë, “Murva e Brahimit”, “Ubla Beqanj”, “Ubla e Brahimit”, “Mani i Brahimit”, “Te kufini”, “Shpella e Smokthit”, etj [Dabaj:2004]. Pastaj ‘Varri i Hasan Agës’ në Pepiq, e kështu me radhë [Erdeljanović:1997]. Në Shestan, madje, ka edhe varreza që u thonë “Varrezat e Turqve”.

Andrija Jovičević përmendë Martinajt dhe Vukmarkajt e Pinçit që vijnë nga Dedajt e Shestanit. Ardoliqët janë të një trungu me Adoviqët e Godenjës. Po kështu edhe Velajt e Besit me Lekoviqët e Godenjës [Jovičević:1922]. Disa familje të islamizuara shestanase u shpërngulën edhe nëpër fshatra të tjera, si në Krythë të Ulqinit, Tegjemil, Tivar etj. Për Mujiqët e Mikuliqit thuhet se janë prej atyre që janë islamizuar në Shestan, por janë detyruar të largohen nga Shestani dhe janë vendosur në Mikuliq, ndërkohë që tokat e tyre i kanë mbajtur dhe i kanë punuar deri vonë.

Në fakt, të islamizuarit e Shestanit i gjejmë në dokumente të shkruara. Në tregimet për Betejën e Krricës, në mbrojtje nga malazezët, përmendet Huso Shestani [Buzuku, #3/2001]. Prej shestanasve të islamizuar ishte Mehmet Spahija – Lekiq (nga Selca), një oficer i njërit nga garnizonet e ushtrisë osmane të Podgoricës, që bënte edhe punën e përkthyesit. Kadastri i Shkodrës i vitit 1582 në Shestan regjistron 7 familje muslimane, 3 familje në Gurzë (Gurrza), dy në Dedaj (Dedaq) dhe dy të tjera në Nënmal (Markoviq). Në shekullin XVIII-të, në kohën e shpërnguljeve në Zarë, individë të tjerë të Shestanit u shpërngulën përreth Mozhurit në Ulqinin Osman [Jovičević:1922]. Karl Poteni më 1845 përmendë aty 5 familje muslimane.

Curanajt që shtrihen në anën prendimore të fshatit Rashtishë, janë një vëllazëri e shkëputur nga Cukajt e Krajës. Lidhet me historinë e vjeter të tre vëllezërve Cukaj, një legjendë konfliktesh ndërmjet vëllazërive të islamizuara dhe atyre të mbetura “në fenë e të parëve”. Sipas legjendës, vëllai më i vjetër Curani, u bë musliman, por hyri në konflikt me dy vëllezërit e tij, për çka u desh ta lëshojë Krajën dhe të vendoset në Anë të Malit, prej nga e kanë prejardhjen Curanajt e fshatit Rashtishë. Më pas, dy vëllezërit e krishterë kishin shkuar në një ‘mexhlis’ që po mbahej në ‘Vanin e Fikut’, buzë Liqenit të Shkodrës. Nga bisedat e bëra aty, apo mbase me dyshime të mëparshme, vëllai tjetër mu në këtë ‘mexhlis’ u bë musliman, por edhe viktimë e vëllait të krishterë, i cili edhe ai vetë më pas u bë musliman [Muja:2009].

Krajanët qysh heret filluan të shpërngulen, për shkaq e arsye të ndryshme, edhe në Tivar, Ulqin e në fshtarat për rreth. Shumica e atyre që u vendosën në Tivarë, u sllavizuan pothuaj plotësisht. Në krijimin e mbretërisë “SKS” (1918), në Malin e Bardhë (Bjela Gora) jetonte fisi Marnikaj me të parin e tyre Mark Kolën, të ardhur nga Brisku. Në Zogaj jetonte familja Junkaj e ardhur nga Ljarja. Në Valdanos, Menër e Zogaj, vëllezëria Pepgjonaj e ardhur nga Ftjani. Të gjitha këto familje ishin shpërngulur rreth viteve 1880. Në veri të Nikajve të Rashtishës (Ana e Malit), është mahalla e krajanëve, banorët e të cilës u shpërngulen nga lagja Matguesh e Kshtenjës [Lemba, #1/1999]. Madje edhe rruga që të shpie tek kjo mahallë, quhet “Rruaga e Krajanëve”. “Mahalla e Krajanëve” quhet edhe fisi Halili, më i riu i fshatit Millë i ardhur nga Kraja [Lemba, #1/1999]. Në Veri të Millës janë “Ksollat e Hardojve”, stanet e Hardojve të Krajës.

Në fillim të shekullit XVI-të, Moreja përfshinte shumë mbretëri dhe kishte një rreth prej 700 milesh shumë të begatshme me çdo gjë [Zamputi:1979], pra ishte një Amerikë e kohës së vet. Për këtë shkak, duke pasë para syshë kushtet jetësore të popullsisë së Krajës, ishte normale që të kërkonin jetë më të mirë, madje edhe në More. Në një këngë që studjuesi Ismail Doda e shënoi në Arbnesh (Krajë), kryepersonazhja që lidhet me Morenë është mërgimtarja Gjylë, që mund të ishte një pjestare e të mërguarve kolektiv të Krajës, apo ishte e martuar atje. Aristidh Kola, kur flet për emigrimet e arbërve drejt jugut në More në shekullin XIV, thotë se aty kishin gjetur arbër të tjerë të mërguar më parë, kur despoti i Mistrës – Teodori të I-rë, birit të Joanit të V-stë Paleologut, kishte ftuar 10 mijë shqiptar me familjet e tyre, që të popullonin Morenë [Kola:2007] diku kah viti 1405. Ka mandje mendime se në këtë drejtim shqiptarët e veriut kanë filluar të depërtojnë që në shekullin e VIII-të [Zakythinos:1949].

Në studimin e hershëm të Zef Valentinit, bëhet fjalë mbi patronimet që moren me vete shqiptarët e shpërngulur nga zonat e Ulqinit, Krajës e Tivarit. Valentini ka krijuar një atdhe të dytë të tyre në More dhe në jug të Greqisë së sotme, deri në Ishujt e Egjeut. Kështu ai përmendë Muriq (Krajë), Merkosi (Mërkoti), Loveri (Livari – Ljare), Kruta e Krusta (Ana e Malit – Ulqin), etj.

[Koha Javore, 1 Dhetor 2016]

15 views0 comments

Comments


bottom of page